6

ALBANYAC REVISTA SHKURT 2026 Këtë vit muzika elektronike në Shqipe (Shqipëri/Kosovë) ka pasur shumë prurje dhe talente të reja, në sensin që nuk bëhen thjesht remikse si vite më parë, por krijime origjinale. Nëse bëni një krahasim me kohën kur ju filluat të DJ-oni, sa kanë ndryshuar gjërat në këtë zhanër? Ka ndryshuar, patjetër, por jo aq sa do të doja në fakt. Kur fillova te luaj muzikë profesionalisht në vitin 2010, dominonin remix-et; sot padyshim ka shumë e më shumë krijime origjinale dhe kjo është pozitive.Megjithatë, do të doja të shihja më shumë guxim, më shumë risk dhe më pak kopjim. Dhe më shumë identitet. Muzikë që tregon dhe histori e jo të jetë vetëm zbavitëse. Kur kjo të ndodhë më shpesh, atëherë mund të flasim për një pjekuri reale të skenës. Ju jeni gjithashtu aktiviste e njohur për të drejtat e njeriut dhe njiheni në Prishtinë që prej aktiviteteve që keni organizuar në lokalin tuaj Gegë, i cili ka shërbyer edhe si një “safe place” për personat e shtypur, e të paragjykuar. A është shoqëria shqiptare më e pranueshme, më tolerante në 2025? Po, Gegë ishte lokali im i parë, të cilin e hapa në vitin 2010. Ditën funksiononte si bar-kafene, mbrëmjeve transformohej në një mini-club. Aso kohe nuk organizoheshin events në bare, përveç klubeve. Ishte diçka qe po ndodhte e re në Gegë, që klubi të transformohej në bar, ku të gjitha llojet e eventeve mirëpriteshin jashtë mase mirë nga publiku me shumë kërshëri dhe dashni. Aty e kam kuptu qe rinia e Prishtinës është e etur për ngjarje kreative, inovative, edukative. Në atë kohë ishte ende tabu që gratë të punonin në bar, e lëre më ta drejtonin atë. Isha shumë e re, fare e papërgatitur që do ta kem një luftë super agresive me patriarkatin në Kosovë. Isha e vetmja grua, stafi ishte komplet burra. Nuk pranonin gratë të punonin në bar. Gradualisht, përmes aktiviteteve edukative, kulturore, hapësira filloj të bëhet gjithë përfshirëse, ku jo vetëm gratë filluan të punojnë në Gegë, por edhe persona të tjerë të margjenalizuar. Gegë ishte vërtetë hapësirë ku gjithë ndiheshin të lidhur me njëri-tjetrin e t'sigurtë. Patjetër që sot ka përparim të dukshëm, kanë kaluar gjithë këto vite, por toleranca nuk është lineare. Kohë pas kohe shoh hapa përpara dhe hapa prapa si në Kosovë edhe Shqipëri. Prandaj nuk më pëlqen të romantizohet progresi, sepse ai shpesh maskon humbjen si fitore dhe e quan zhvillim atë që në thelb është përjashtim. Por dua të theksoj që ka lëvizje të mëdha pozitive në gastronomi dhe jo vetëm, sepse sot ka gra të shumta aktive në udhëheqjen e menaxhimin e lokaleve dhe po ashtu, çdo ditë ka më shumë gra që janë DJ, producente. Ky ndryshim, ky fakt, më shton jetën. Më lumturon shumë.

7 Publizr Home


You need flash player to view this online publication